Secondary Adv

Këshilli i BE do ti hapë rrugën heqjes së tarifave roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Europian pritet të nisë negociatat për heqjen e tarifave roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke afruar rajonin me tregun unik të telekomunikacioneve.

Këshilli i Bashkimit Europian pritet të japë dritën jeshile për propozimin e Komisionit Europian që synon hapjen e negociatave për heqjen e tarifave roaming mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas miratimit formal, do të nisin negociatat individuale me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë.

 

Nisma konsiderohet një tjetër hap drejt integrimit të rajonit me tregun e përbashkët europian dhe do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe sektorin e turizmit.

 

Çfarë do të ndryshojë për përdoruesit

Heqja e roaming-ut do të thotë që abonentët e telefonisë celulare në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit do të mund të përdorin numrat e tyre në vendet e Bashkimit Europian pa tarifa shtesë, duke paguar të njëjtat çmime që paguajnë në vendin e origjinës për telefonata, mesazhe dhe internet.

 

Megjithatë, procesi nuk ka ende një afat të përcaktuar. Ecuria do të varet nga negociatat që do të zhvillohen me secilin shtet, si dhe nga përshtatja e legjislacionit kombëtar me rregullat europiane.

 

Në Shqipëri, qeveria ka përgatitur ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike”, të cilat do të krijojnë bazën ligjore për zbatimin e marrëveshjeve të ardhshme roaming me Bashkimin Europian. Këto ndryshime pritet të miratohen gjatë këtij viti.

 

Hapat e ndërmarrë deri tani

Procesi i afrimit me modelin europian ka nisur prej disa vitesh. Në tetor të vitit të kaluar, gjatë vizitës në Tiranë, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen paralajmëroi se heqja e roaming-ut me vendet e Ballkanit Perëndimor ishte një nga objektivat konkrete të Bashkimit Europian për rajonin.

 

Aktualisht tarifat roaming mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së nuk janë të rregulluara me ligj, por që nga viti 2023, me ndërmjetësimin e Komisionit Europian, operatorët celularë të rajonit dhe të BE-së kanë zbatuar një marrëveshje për uljen graduale të kostove të internetit në roaming.

 

Nga operatorët shqiptarë, One Albania iu bashkua marrëveshjes, ndërsa Vodafone Albania ofron paketa preferenciale për përdorimin e rrjetit të operatorëve të grupit Vodafone në vendet e Bashkimit Europian.

 

Tarifat e internetit janë ulur gradualisht

Marrëveshja e vitit 2023 vendosi një tavan maksimal prej 18 euro për gigabajt internet në roaming. Nga fillimi i vitit 2026, ky kufi është ulur në 14 euro për gigabajt, ndërsa faza e tretë e marrëveshjes parashikon uljen e mëtejshme në 9 euro për gigabajt duke filluar nga viti 2028.

 

Kjo ka sjellë kosto më të ulëta për shqiptarët që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian, por edhe për turistët europianë që vizitojnë Shqipërinë.

 

Në praktikë, shumë përdorues kanë përfituar edhe nga paketat roaming me çmime fikse të ofruara nga operatorët celularë, të cilat shpesh rezultojnë më ekonomike sesa tarifat standarde.

 

Modeli rajonal si bazë për integrimin me BE-në

Heqja e tarifave roaming me Bashkimin Europian vjen pas suksesit të marrëveshjes rajonale të Ballkanit Perëndimor. Që prej fundit të qershorit 2021, qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës komunikojnë gjatë udhëtimeve në rajon pa asnjë tarifë shtesë roaming, duke përdorur paketat e tyre kombëtare.

 

Ky model konsiderohet tashmë si baza mbi të cilën do të ndërtohet integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në zonën europiane “Roam Like at Home”, ku përdoruesit mund të lëvizin dhe të komunikojnë pa kosto shtesë në të gjithë territorin e Bashkimit Europian.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat